20 OCT.2014 LIGJËRATË NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE NË PRISHTINË

LIGJËRATË NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE NË PRISHTINË

Tema : Një tregim për një dokumentim të luftës dhe një sygjerim se si mund të jetë ai aktivizues dhe i dobishëm.

Një histori e shkurtër për dokumentimin tim të luftës dhe një sugjerim se si mund të jetë i dobishëm për të ardhmen.

Përshëndetje dhe mirëserdhët, miqtë e mi.

Pse jam duke e bërë këtë prezantim? Paj, ndihem i shtrënguar që ta hapë këtë temë në lidhje me krimet e luftës, sepse për mendimin tim nuk është bërë gati asgjë për nisjen e një procesi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe romëve në lidhje me krimet e luftës.
Me normalizim nënkuptoj që palët të pajtohen me atë që ndodhi gjatë luftës/konfliktit.  Duke u qartësuar së bashku me serbët në lidhje me atë që ndodhi do të mund të përgatitej rruga për një fillim të ri; Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një fillim të ri.

Brezi i ri sot në të dy vendet e ka një mundësi unike që të formojë të ardhmen për vetveten, fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të tyre—një mundësi e tillë nuk vjen shpesh.

Duke ju informuar juve dhe brezin e ri, në veçanti në lidhje me ueb-faqen time www.kosovotrilogy.com ku ju vetë mund ta zbuloni të vërtetën për krimet e luftës që janë kryer dhe të filloni të parashtroni pyetje në lidhje me atë se pse ky kapitull i historisë suaj bashkëkohore nuk është zgjidhur akoma.

Përveç kësaj, nëse nuk zgjidhet shpejtë, mundësitë për paqe me fqiun tuaj do të bien dhe pa dyshim do të mbeteni pa rrugëdalje si pasojë e krenarisë dhe mos turpërimit.
Kjo ligjëratë është kontribuimi im i fundit ndaj informimit të popullit të Kosovës dhe tani në veçanti brezin e ri.
E kam ndarë këtë ligjëratë në dy pjesë: pjesa e parë ka të bëjë me zbulimet e mia ndërsa pjesa e e dytë ka të bëjë me përvojat e mia dhe mësimet nxjerra.
Përveç kësaj, do të ndajë atë se si unë mendoj se ju mund ta përdorni këtë trilogji si bazë për kërkimin e së vërtetës së përbashkët me Serbinë.

Ballkani ka nevojë të përfshihet në një proces me qëllim të themelimit të një të vërtete të përbashkët në lidhje me krimet e luftës, të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-99 dhe nga aty të kërkohet pajtimi dhe falja ose që “plagët të shërohen” siç tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan në qershor të vitit 1999 kur UNMIK e mori përsipër administrimin e Kosovës.

Për mendimin tim, brezi i ri e meriton një perspektivë më të mirë për të ardhmen nga ajo që paraardhësit e tyre i kanë dhënë, të cilët, gjatë njëqind vjetëve të fundit i kanë ndërtuar perceptimet e tyre në një histori fragmentare e cila për mendimin tim është një histori e papranueshme për të gjithë ata që jetojnë në të njëjtin rajonin dhe mund të jetë shkak për armiqësi.

Korrik 1999 E kemi konsideruar atë rajonin atje si Jugosllavia, e cila kishte arritur t’ia dilte relativisht mirë që të ishte shtet komunist. Ne gjithashtu e vërejtëm se në vitet 1980, pas vdekjes së Titos, filluan trazira në Jugosllavi dhe që eskaloi shumë shpejt në një luftë/trazirë civile në shkallë të gjerë siç e pamë ne në Skandinavi.

img

Menjëherë pas tërheqjes së personelit civil dhe ushtarak nga Kosova në qershor të vitit 1999, kishin arritur mesazhe të shumta në adresë të UNHCR-së për trupa të pajetë nëpër puse.
Ndihma e Kishës Norvegjeze (NKN) më telefonoi në javën e parë të korrikut 1999 për një takim. Në takim me NKN-në ata ma paraqitën një program emergjent që u ishte dhënë nga UNHCR-ja që ta ekzekutonte. Detyra ishte që të nxirreshin trupat e pajetë nga puset nëpër gjithë Kosovën, të identifikoheshin, t’ia raportonin GJND-së, të varroseshin trupat dhe të  pastroheshin puset, pra që të ktheheshin përsëri në funksion.

LOKACIONET E VARREVE MASIVE NË KOSOVË – TË RAPORTUARA OSE GJETURA NË QERSHOR 1999

img

Shumë njerëz figuronin të humbur në qershor të vitit 1999 kështu që gjetja e vendndodhjes së puseve u bë prioriteti numër një. GJND-ja dhe UNHCR e kishin lëshuar një komunikatë se të gjithë trupat e pajetë të ndërlidhur me varret masive dhe vendndodhjet tjera mund të trajtoheshin vetëm nga ekipet ndërkombëtare të forenzikës ose ekipet ndërkombëtare të caktuara për detyra specifike.

Mësimet e marra nga këto tri konflikte ose luftëra tjera në ish Jugosllavi tregonin se kjo do të ishte mënyra më e mirë në mënyrë që të shmangej çfarëdo lloj akuze nga palët e përfshira në lidhje me gjetjet.

Në prezantimin e librit tim, “Puset e Vdekjes” në Hotel Grand, në qershor të vitit 2006, Prof.Dr.Hakif Bajrami një historian që ju ndoshta e njihni ishte i pranishëm aty. Unë nuk e njihja atë më përpara por pas prezantimin ai mu afrua dhe ma dha një kopje të librit të Leo Freundlich të quajtur “Golgota Shqiptare e vitit 1913”, për të cilin nuk kisha njohuri. Leo Freundlich ishte gazetar dhe shkrimtar hebre që jetonte në Vjenë, i lindur në Bielitz-Bialia (Poloni) në Perandorinë e atëhershme Austro Hungareze, një nga të pakët, përveç Edith Durhamit, një shkrimtare dhe antropologe britanike, që shkroi për atë se çfarë ndodhi në këtë rajon në vitet 1912-13 në lidhje me vrasjet që u kryen kundër shqiptarëve.

Një ditë më vonë, Salih Maqedonci, një mësues i gjuhës angleze dhe shkrimtar, të cilin nuk e njihja më parë gjithashtu më dha një kopje të libriti të njëjtë në gjuhën angleze të “Golgotës Shqiptare”. Ai ma la një mesazh në libër duke më nxitur që ta shkruaja edhe një libër tjetër për Kosovën pa përmendur ndonjë temë të caktuar. Miqtë tjerë si Ridvan dhe Margita Pakashtica gjithashtu më nxitën që ta shkruaja një libër tjetër. Unë nuk kam shumë talent për të shkruar kështu që u ndjeva i pasigurt që ta shkruaja edhe një libër tjetër.

img

Një javë më vonë në vitin 2006 e kontaktova Arkivin e Kosovës, Drejtorin e saj, Dr.Jusuf Osmanin dhe atë të Institutit të Historisë, Drejtorin e tij, Dr.Jusuf Bajraktarin dhe i pyeta nëse Kosova zyrtare kishte bërë diçka në lidhje me dokumentimin e viktimave civile të luftës së viteve 1998-99. Më saktë, rreth 400 varre masive, që Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte ia raportoi në nëntor të vitit 1999 Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Anan dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Mos harroni se tani kishin kaluar shtatë vjet që nga lufta. Ata më thanë se asgjë nuk ishte bërë deri tani në lidhje me hulumtimet për viktimat civile dhe për më tepër asnjë burim nuk ishte lënë mënjanë nga UNMIK-u ose Qeveria për aktivitete të tilla.

Ata më nxitën që të filloj planin tim në mënyrë që të mund të merrja sa më shumë të dhëna dhe informata që të ishte e mundur, sepse dëshmitarët do të vdisnin, do të shpërnguleshin në vende tjera etj. dhe që brezat e rinj do të kishin nevojë për informacion për një ngjarje kaq të rëndësishme si lufta e vitit 1998-99 dhe për ndikimin e saj mbi popullatën.

Askush s’do të mund të më pengonte që ta bëja atë pasi që isha një ndërkombëtar dhe Kosova ishte bërë një protektorat i Kombeve të Bashkuara. Drejtorët Osmani dhe Bajraktari bënë atë që mundeshin në atë kohë, që ishte lëshimi i një rekomandimi zyrtar për projektin tim në emër to institucioneve të tyre.

Burimet kryesore të informacionit:
Një detyrë e rëndësishme në fillim të projektit ishte gjetja e burimeve të besueshme, burime që nuk do t’i vinte askush në dyshim më vonë.
Burimet kryesore vendimtare për mua u bënë:

•    KNKK – Personat e humbur si pasojë e ngarjeve që ndodhën në Kosovë, botimi i 3-të në shkurt 2004.
•    GJND (Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi)
•    ZPH/UNMIK (Zyra për personat e humbur dhe forenzikë/ UNMIK)
•    QHJ, Beograd, Fati i Shqiptarëve të Humbur në Kosovë (mbetjet e gjetura në varre masive në Serbi – botuar në nëntor 2005)
•    OSBE, Raporti i Misionit Vëzhgues në Kosovë Siq Është Parë Është Thënë, vëllimi I dhe II – në lidhje me zbulimet mbi të drejtat njerëzore, botuar në nëntor 1999.
•    QHJ, Beograd, Podujevë 1999 / Përtej Dyshimit të Arsyeshëm 2006
•    Martinsen, Josef (2006) Puset e Vdekjes

Unë i gjeta këto gjashtë burime kryesore informacioni në të cilat kisha besim të plotë dhe që ishin të pranuara ndërkombëtarisht, gjë që për mua ishte shumë thelbësore në nisjen e punës.

•    KMDLNJ (Këshilli për Mbrojtjen e të Drjetave dhe Lirive të Njeriut, Prishtinë)
•    Komunat e Kosovës
•    HRW (Human Right Watch-Organizata për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut)
•    GNK (Grupi Ndërkombëtar i Krizave, Bruksel)
•    NKPD (Nuk Ka Paqe pa Drejtësi)
•    Padija e rastit nr. IT/99/37/PT në Gjykatën e Hagës 2001
•    Padija e rastit nr. IT/05/87/PT në Gjykatën e Hagës 2006
•    Svedocanstvo o Kosovu (Mali i Ferrit) (2003) nga Svetlana Gjorgjeviq
•    Millosheviqi në Luftë dhe në Hagë (një dokumentim nga seancat dëgjimore për më shumë se tre vjet) nga Nilsen, Kjell Arild (2007) një gazetar dhe shkrimtar norvegjez.
•      Privatizimi në Kosovë: Projekti Ndërkombëtar 1999-2008 nga Rita Augestad Knudsen

Shtatë radhitjet e para janë të ndërlidhura me vrasjet e civilëve dhe deklaratat e ndërlidhura me situatën e përgjithshme gjatë periudhës së luftës 1998-99.

Pika e tetë është një libër i shkruar nga një grua serbe që jetoi në Fushë Kosovë për pesë vjet dhe punoi si shofere taksie nga viti 1994 deri më 1999. Përshkrimi nga ajo i asaj që ndodhi në atë periudhë e konfirmon shtypjen dhe vrasjet e përgjithshme kundër shqiptarëve të Kosovës. Për shkak të përndjekjes dhe kërcënimeve me vdekje pas publikimit të librit në Serbi, ajo morri azil në Norvegji.

Pika e nëntë i referohet një gazetari norvegjez i cili për tre vjet i ndoqi seancat gjyqësore kundër ish presidentit Slobodan Milosheviq në Hagë. Libri i tij e jep një përshkrim të mirë të asaj që ndodhi dhe i konfirmon gjetjet në terren.

Pika e dhjetë i referohet procesit të privatizimit që ndodhi në Kosovë në vitet 1999-2008 dhe ndërton mbi këndvështrimet e mia skeptike në lidhje me UNMIK-un dhe udhëheqësinë kosovare përgjatë viteve.

Gjetjet e mia dhe historitë mbrapa krimeve të luftës të kryera është një kontribuim në kërkim të së vërtetës në lidhje me atë që ndodhi.

Së bashku me dokumentacionet tjera të pranuara ndërkombëtarisht dhe seancat gjyqësore si dhe gjykimet në GJND të Hagës, Triologjia ime për Kosovën në vitet 1998-99  mendoj do t’i japin trajtë tablosë së krimeve të luftës të kryera dhe se kush ishin viktimat dhe autorët e krimit.

Hyrje

Kjo pjesë e prezantimit tim i reflekton përvojat dhe përshtypjet e mia personale pas shumë viteve në kontakt të afërt me popullin e Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë.

Gjithashtu i reflekton artikujt dhe raportet të bëra nga gazetarët dhe reporterët në gazeta dhe TV përgjatë viteve dhe ngjarjet e vërteta që ndodhën.

Janë dy persona që do doja t’i përmendja: gazetarin Marciej Zaremba të gazetës Dagens Nyheter (DN.se) nga Suedia që i shkroi katër artikuj interesantë në suedisht të përkthyera në gjuhën angleze në vitin 2007 të quajtur “Koloni Kosovo” për përvojat e tyre në lidhje me zbulimet që i bënë në Kosovën e drejtuar nga protektorati i UNMIK-ut.
Gjithashtu, gazetaren Rita Augestad Knudsen e cila e shkroi librin, Privatizimi në Kosovë: Projekti Ndërkombëtar 1999-2008, botuar nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare një raport që tregon për “katastrofë, gati dështim i plotë si dhe një dështim ekonomik në lidhje me procesin e privatizimit në Kosovë.”

Për mendimin tim, Kombet e Bashkuara dhe populli i Kosovës e kishin një mundësi në jetë që t’i japin trajtë një shteti të drejtë dhe funksional. Fatkeqësisht, populli i Kosovës dështoi që t’i zgjedhë politikanët e duhur pas luftës 1998-99 dhe KB-ja dështoi t’i korrigjojë dhe kontrollojë njerëzit që i vendosën në krye përgjatë viteve.  Më saktë, njerëzit në dispozicion si politikanë të ardhshëm shfaqën mungesën e cilësive që kërkoheshin për ndërtimin e një shteti nga e para dhe populli i Kosovës nuk ishte i përgatitur mentalisht që t’i zgjidhte njerëzit e duhur, por se ata zgjodhën që t’i ndjekin modelet e vjetra.
Përveç kësaj, KB-ja nuk e bëri më të lehtë që të ndërtohej një shtet i ri bazuar në vlerat demokratike sa i përket ligjeve dhe drejtësisë. Që të jemi të saktë, UNMIK-u e siguroi një lloj strukturë guaskë për një shtet dhe bëri plane për infrastrukturë si rrugë, ujë dhe furnizim me energji elektrike, por sa i përket përmbajtjes së strukturës së guaskës ata dështuan që ta mbushin me qëndrimet e duhura ose e mbushën me praktika jodemokratike.

Zhvillimi i një shteti të bazuar në ideale demokratike, si të drejtat e njeriut dhe liri për të gjithë fillon me të drejtat e barabarta duke u pasuar me ligjet dhe drejtësinë për të gjithë.

Kam dëshirë të flas pak për situatën në Norvegji pas Luftës së II Botërore në vitin 1945. Ne kishim shumë parti politike me njerëz që morën pjesë në luftë ose kishin qenë të burgosur lufte në Gjermaninë Naziste të cilët pretendonin se e kishin zgjidhjen për ndërtimin e një Norvegjie të grisur nga lufta.

Sidoqoftë, ata e kuptuan se të gjitha përpjekjet pozitive duhet të punojnë së bashku për ndërtimin e vendit dhe për t’i ndihmuar popullit.

Udhëheqësit politikë u pajtuan që t’i lënë anash të gjitha ndarjet politike për një periudhë  5-10 vjeçare dhe të përqendronin tërë iniciativën, idetë dhe përpjekjet në një plan të përbashkët për të cilin ranë në ujdi. Të gjithë udhëheqësit politikë mbajtën një profil të ulët dhe iu shmangën keqpërdorimit të pozitave të tyre përbrenda qeverisë dhe parlamentit.

Në rregull, t’i kthehemi pak atyre që e morën udhëheqjen e UNMIK-ut në qershor të vitit 1999, si dhe Shefit të UNMIKU-t, Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP)

Dr.Bernard Kouchner, ishte i pari nga shtatë administratorët ose “perënditë” siҫ i quajnë disa njerëz. PSSP-ja përbënte gjithë fuqinë dhe pushtetin në Kosovë dhe nuk kam parë ose dëgjuar gjë për kontroll ose vlerësim në lidhje me pozitën e PSSP-së.

Unë e dija nga historia dhe Sekretari i Përgjithshëm/Kombet e Bashkuara duhet ta dinin nga historia faktin se nëse i jep një personi një pozitë të gjithëpushtetshme pa e kontrolluar është e përcaktuar të dështojë.

KB-ja e ka një organ të brendshëm auditimi por që nuk funksionon siҫ duhet kur vjen çështja tek kontrollimi i “perëndive” ose “mbretërve të vegjël” në administrim.

Të qenit i gjithëpushtetshëm e ka një ndikim helmues në njerëzit; është gati si një ligj fizik, ku e konsiderojnë vetën si “më të njëjtë” se sa të tjerët, që ta përdorim një term nga libri i Xhorxh Owell “Animal Farm” (Ferma e Kafshëve).

Dr.Bernard Kouchner, PSSP-ja i parë, u bë i pari që t’i shkelte parakushtet e vendosura nga vetë KB-ja dhe nga ligjet ndërkombëtare në lidhje me ndërtimin e një komuniteti funksional ose shtet nga poshtë lartë, domethënë, të zhvillonte një shtet të ndërtuar në ideale demokratike, si të drejtat e njeriut dhe liri për të gjithë–që fillon gjithnjë me të drejtat e barabarta dhe që pasohen nga ligjet dhe drejtësia.

Bernard Kouchner e dha, në njëfarë mënyre, një model për PSSP-të e ardhshëm, dhe gabimet më të mëdha të tij, për mendimin tim ishin:

•    Dhënia  e licencës për telefoninë e parë mobile të Kosovës, Monakos pa një tender paraprak ndërkombëtar dhe me këtë ai sinjalizoi se “unë mund të bëjë ҫfarë të dua”

•    Ai e implementoi një ligj ose rregullore që i jepte imunitet (X) të gjithë ndërkombëtarëve të UN-it dhe njerëzve që punojnë për UN-in në Kosovë përgjatë viteve që arrinë numrin diku në 60,000 njerëz, të cilët në fakt ishin përmbi ligjin dhe drejtësinë.

Njerëzit që ishin caktuar që t’i implementonin ligjet  dhe drejtësinë ishin të parët që ta vendosnin vetën e tyre përmbi ligjet dhe kjo i dha njerëzve lejen për të “vjedhur dhe plaçkitur”. Korrupsioni lulëzoi në një ambient të tillë.

•    Ky fillim tragjik e lejoi një praktikë qeverisjeje me gati pa transparencë fare, e cila si pasojë, për mendimin tim, promovoi lakmi dhe korrupsion në të gjitha trajtat dhe format.

Këto tri pika u bënë, për mendimin tim, gurë pengesë për “shtetë-ndërtuesit” të cilët sinqerisht mendoj se u munduan që ta bëjnë më të mirën e tyre por që u gjymtosën ose u anashkaluan nga politikanët dhe burokratet me agjenda të fshehura.

Politikanët në Kosovë nuk bashkëpunuan që të krijonin një shtet funksional; ata filluan që të grindeshin me njëri tjetrin në të gjitha nivelet, madje edhe duke e vrarë njëri-tjetrin.

Në Norvegji, siç e përmenda më herët politikanët bashkëpunuan njëri me tjetrin në vitin 1945 dhjetë vjetët vijuese në mënyrë që të ndërtonin një themel të fuqishëm për zhvillim të mëtutjeshëm dhe se njerëzit si dhe transparenca ishin të një rëndësie të lartë.

Marciej Zaremba, gazetar i gazetës “Dagens Nyheter” nga Suedia i shkroi katër artikuj në vitin 2007 për “Koloni Kosovo”. Ai jep brendësi që iu nevojitet të keni në mënyrë që të kuptoni se si janë zhvilluar gjërat.

Ajo korrespondon përsosmërisht me përvojën time nga bisedat që kam pasur me njerëz, leximi i gazetës dhe shikimi i TV-së përgjatë katërmbëdhjetë vjetëve. Artikujt e tyre prekën një mori gjërash që shkuan keq në Kosovë por KB-ja i heshti kritikët e saj në mënyrë të efektshme i heshtën.

Gjithashtu, ju rekomandoj shumë Raportin e Rita Augestad Knutsen të quajtur “Privatizimi në Kosovë: Projekti Ndërkombëtar 1999-2008.”

Ju, brezi i ri dhe njerëz të interesuar që të bëni diçka për Kosovën, tani ka ardhur koha juaja, një kohë e tillë ndoshta nuk do t’iu vijë më gjatë jetës suaj.

Kur e shoh situatën tuaj të tanishme politike, e shoh një vazhdimësi të mospërshtatjeve politike. Siç e përmenda më herët, tani është mundësia juaj që të përfshiheni dhe të ndërmerrni diçka që të ndërtoni shtetin për fëmijët tuaj dhe fëmijët e fëmijëve tuaj, të ndërtuar mbi transparencë, ligje dhe drejtësi për të gjithë.

Bill Klinton e dha këtë deklaratë kur e vizitoi Kosovën pas luftës:

Ne e fituam luftën, tani ju duhet ta fitoni paqen me fqiun tuaj

Fjalët vijuese janë supreme nëse dëshironi ta fitoni paqen me fqiun tuaj dhe ta keni një shtet të drejtë:

Të drejta të barabarta, komunikim, negociata, tolerancë, mirëkuptim dhe kompromis.

Në lidhje me gratë e dhunuara në Kosovë gjatë luftës 1998-99.

Kam dëshirë që ju të fokusoheni për një moment në viktimat femra të luftës, në gratë e dhunuara të cilat janë duke vuajtur që nga lufta të cilave nuk i është dhënë e drejta e tyre e dukshme për një pension për të cilin ato dhe familjet e tyre kanë aq shumë nevojë. Kjo është një ҫështje e një rëndësie të lartë porse Kosova i ka braktisur gratë që kanë qëndruar në shtëpitë e tyre gjatë luftës dhe që janë kujdesur për fëmijët, për t’i ushqyer dhe veshur përderisa burrat kanë qenë nëpër shkurre dhe male duke u fshehur. Kjo vepër e të lënit të tyre pas dore është turp dhe përҫmim.

Për mendimin tim, kjo është çështje nderi për Kosovën që ta përmbushë.

Duket sikur qeveria dhe parlamenti juaj e pranojnë lehtë mizorinë që nuk e kanë vuajtur vetë.
Kryeministër dhe Presidente ose administratë përgjegjëse e shtetit: jepuni këtyre grave dhe familjeve të tyre tani një zgjidhje për të mbijetuar në mënyrën dinjitoze që e meritojnë. Mos u fshihni prapa arsyetimeve burokratike.

Grupi i organizimit  për ligjeratën  në Bibliotekën Kombëtare nga e majta:

Margita Kukalaj Pakashtica, Josef Martinsen, Arijeta Ajeti, Liridona Berisha, Lirak Gjoshi
GetAttachmentPhoto : Suela Gjoshi

Article Koha Ditore_21.10.2014